Masat e reja

​​Edhe Coca Cola që vjen nga Serbia do i nënshtrohet taksës 100%

Prej sot në Kosovë nuk do të mund të hyjnë pa iu nënshtruar taksës 100 për qind asnjë produkt nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës. Këtë vendim Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, në mënyrë që masa prej 100 për qind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.

Shala ka shpjeguar se ëhstë konsultuar me përfaqësuesit e këtyre kompanive para se të merrte vendimin.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se është e papranueshme lëvizja e Serbisë, konkretisht letra e kryeministres Ana Brnabiq, ku u kërkon tërheqjen e njohjeve nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën.

Ai tha se përkundër kësaj, Kosova nuk do të vazhdojë me masa shtesë, por që do të respektohet taksa aktuale.

Qeveria e Kosovës miratoi sot edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës të Shqipërisë dhe Republikës të Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Diskutim pati për atë se kur do të fillojë të implementohet kjo marrëveshje. Kështu, një bisedë intensive u zhvillua në mes të kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Ndërkaq, kryeministri kërkoi që kjo procedurë të përshpejtohet.

Njëherësh, Qeveria e Kosovës ka shtyrë votimin e buxhetit 2019 për në javën e tretë të janarit, pasi që Kuvendi qysh sot do të jetë në pushim.
Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza u shpreh se ata kanë kryer punët e tyre.

Kurse kryeministri nuk la pa shprehur falënderime për shefat e grupeve parlamentare për atë se kanë qenë korrekt sa i përket buxhetit, teksa u shpreh se në lexim të dytë do të ketë më shumë deputetë. Në mbledhjen e fundvitit, Qeveria e Kosovës miratoi emërimin e Sami Istrefit, Avokat të Përgjithshëm Shtetëror në Avokaturën Shtetërore te Republikës së Kosovës, si dhe miratoi në parim propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale, të vazhdohet pagesa e pensioneve për ish pjesëtarët e TMK-së, FSK-së, si dhe për një kategori të personave me aftësi të kufizuar ashtu siç ka qenë deri më tash.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe raportin vjetor mbi performancën e Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky raport përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë ofron një pikëpamje të performancës së sektorit të Ndërmarrjeve publike në tërësi gjatë viti 2017, pjesa e dytë ka të bëjë me çështjet e qeverisjes së korporatave dhe pjesa e tretë përmbledhë rezultatet individuale të ndërmarrjeve.

Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e kërkesës së Komunës së Obiliqit për marrjen në shfrytëzim të parcelës nr.0810-0 në pronësi të Ndërmarrjes Publike “Korporata Energjetike e Kosovës” Sh.A. Njëherësh, edhe Rregullorja e Punës së Komisionit Kombëtar për Refugjatë, është miratuar në mbledhjen e sotme, me të cilën përcaktohet përbërja, përgjegjësitë, organizimi dhe funksionimi i Komisionit Kombëtar për Refugjatë, si dhe është miratuar vendimi për kursime, ndarje, transfere dhe rialokime buxhetore të organizatave buxhetore për vitin 2018.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për rishikimin e Planit të veprimit 2019-2020 për zbatimin e Strategjisë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike 2016-2020. Qëllimi i rishikimit afatmesëm është që të identifikojë aktivitet relevante në drejtim të zbatimit të Strategjisë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike, që siguron një sistem modern të Menaxhimit të Financave Publike në harmoni me standardet dhe përvojat më të mira ndërkombëtare.